banner banner banner banner
Войти
Скачать книгу Atropos
Текст
отзывы: 0 | рейтинг: 0

Atropos

Язык: Неизвестно
Тип: Текст
Год издания: 2019
Бесплатный фрагмент: a4.pdf a6.pdf epub fb2.zip fb3 ios.epub mobi.prc rtf.zip txt txt.zip
Atropos
Federico Betti

Për të gjithë lexuesit që po presin me padurim të lexojnë këto histori

Burri zbriti nga autobusi i linjës 19 te Sheshi Braçi në San Laxaro të Savenës, arriti tek kioska e gazetave, bleu një kopje të Resto Del Carlino dhe nisi ta shfletonte. U ul në një nga stolat e Sheshit për të lexuar gazetën por nuk gjeti ndonjë lajm me rëndësi: faqet e para ishin të mbushura të tëra me kronikën, ndërsa brenda gjeti lajme nga ekonomia dhe, më tej, faqet me lajme lokale nga krahina bolonjeze, që nga qyteti e deri tek të gjitha rrethinat e tij. I hodhi një sy edhe njoftimeve publicitare, pa gjetur asgjë interesante. E palosi gazetën dhe, duke e mbajtur poshtë krahut, nisi të ecte përgjatë rrugës Emilia me drejtimin nga Imola.

Arriti tek hyrja e bankës në kryqëzimin me rrugën Jussi, akoma disa qindra metra më përpara, shtyu të parën portë të rëndë prej metali, pastaj të dytën, dhe hyri brenda. Në atë orë të mëngjesit kishte shumë pak klientë dhe, pak minuta pasi kishte hyrë brenda, mundi të paraqitej tek sporteli i parë i arkës që u lirua nga tre sportelet e hapura në atë moment. “Mirëdita”, e përshëndeti punonjësja, “si mund t’ju ndihmoj?” “Do doja të flisja me drejtorin, nëse nuk është i zënë.” “Si të dëshironi. Çfarë ka që nuk shkon?”, e pyeti gruaja, që lëshonte një aromë prej frute aq të rëndë gati sa të sillte të përziera. “Jo, mos u shqetëso. Thjesht po mendoj sesi të investoj më mirë dhe do doja të flisja me të, në mënyrë që të marr një vendim.” “Për këtë gjë janë të gatshëm të gjithë konsulentët tanë financiarë. Besoj se ju mund të flisni shtruar me një prej tyre: të gjithë janë shumë të zotë. Vetëm në rast se dëshironi të flisni posaçërisht me drejtorin ose keni arsye të veçanta për ta shqetësuar” shpjegoi gruaja. “Dëshiroj të flas posaçërisht me drejtorin”.

I

Atë ditë, Davide Paliarini po kthehej nga palestra ku kalonte nja dy orë mbasditeve gjatë javës, duke përfshirë edhe fundjavën.

Jetonte vetëm, në një kondominio në rrugën Venecia në San Laxaro të Savenës.

E kishte marrë atë vendim pas një vit fejese dhe një vit bashkëjetese me shoqen e tij. Me pëlqimin e të dyve i kishin thënë mjaft njëri tjetrit, nuk do mundnin më të jetonin bashkë pasi, ndryshe nga sa e mendonin në fillim, me sa dukej nuk ishin bërë tamam për njëri tjetrin.

Ritmet e jetës dhe pikëpamjet i kishin shumë të ndryshme përsa i përket manaxhimit të kohës dhe përdorimit të parave.

Dhe në fund kishin menduar që të përshëndeteshin dhe secili të vazhdonte jetën e vet.

Pasi mbërriti para derës së jashtme të pallatit, ngjiti shkallët dhe hyri në shtëpi.

Apartamenti i tij gjendej në katin e parë të një ndërtese jo shumë të lartë dhe të zhytur në jeshillëkun e një oborri plot me bimë dhe drurë të llojeve të ndryshme, ku një gardh e ndante me ambjentin tjetër të jashtëm.

Kishte të paktën tre avantazhe aty: hija që bënin drurët, që mundësonte strehë nga temperaturat e larta gjatë verës, një grimë prej elegance të vetë shtëpisë dhe fakti se një kondominio me oborr të brendshëm zor se tërhiqte vëmendjen e atyre që merreshin me shpërndarjen e fletëpalosjeve publicitare.

Pasi mbështeti në tokë çantën sportive që e përdorte në palestër dhe që brenda kishte kryesisht një palë rroba për t’u ndërruar dhe gjithçka që duhej për t’u larë, e hapi dhe e bëri gati për ditën tjetër, dhe pastaj vendosi të lexonte pakëz.

I donte romanet me aventura nga autorë si Klaiv Kasler, edhe pse deri pak muaj më parë zakonisht lexonte edhe thrillerat dhe, në përgjithësi, histori që përshkoheshin nga pasiguritë por, pas aksidentit rrugor që kishte bërë, kishte vendosur që t’i linte këto deri në një moment kur ta vendoste vetë.

Kishte qenë faji i tij, kjo ishte e pamohueshme, dhe nuk mund t’ia falte dot vetes: ajo ngjarje sigurisht që i kishte lënë shenjë në psiqikë.

Mundohej me çdo kusht që mos ta sillte ndër mend, dhe shpesh ia dilte mbanë, por, atëherë kur pak e priste, kujtimi i rikthehej duke e mbërthyer sërish fort.

Ah, sikur vetëm mos ta kishte marrë atë pilulë...

Por ishte joshur nga e panjohura. I kishin thënë “Do ta shohësh se si do ndihesh. Do të të bëjë që të kapësh yjet. Provoje: mund ta kesh edhe një me zbritje.”

Dhe kështu e kishte provuar, por duke i thënë vetes se nuk do ta provonte më kurrë. Thjesht si kureshtje për të kuptuar se çfarë përjetohej me atë gjënë.

Pasi doli nga diskoteka ku shkonte herë pas here për të kaluar një mbrëmje të shtune ndryshe nga zakonisht dhe me shpresën për të takuar edhe njerëz të rinj që mund edhe t’i bënte miq, ose mundësisht edhe ndonjë shpirtin e vet binjak edhe pse e dinte dhe vetë se do duhej kohë për të stabilizuar një marrëdhënie të këtillë, ishte larguar për tek makina e vet dhe ishte nisur për në shtëpi.

Kishte kaluar të paktën një orë që nga marrja e asaj pilule eferveshente (në fakt i ishte këshilluar edhe një gotë pije) dhe, kur Davidi po udhëtonte në unazën e Bolonjës në drejtim të shtëpisë, filloi të ndihej euforik, si të ishte në qiell të shtatë. Shtypi deri në fund pedalin e gazit pasi e ndjente të nevojshme në njëfarë mënyre ta shkarkonte atë eufori dhe rezultati qe ai që shpresonte, por nuk kishte marrë parasysh të papriturat e mundshme si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë.

Me shumë vonesë vuri re një fëmijë që po kalonte rrugën në vijat e bardha, ndërkohë që e goditi në krahun e majtë duke e përplasur në tokë dhe duke e marrë zvarrë për nja njëqind metra.

Nuk i kishte kushtuar fare vëmendje pranisë së prindërve dhe ishte larguar pa u ndalur, me trupin plot adrenalinë.

Davide Paliarini mbyllte sytë sa herë që i vinte në mendje ai episod, me shpresën që t’i flakte tutje ato kujtime të dhimbshme dhe shpesh ia dilte mbanë, po jo gjithmonë.

Kur e kuptoi se po afrohej koha e darkës, mbylli romanin që po lexonte atë moment, duke u ulur në tavolinën e të ngrënit dhe vuri përpara një pjatë me makarona.

Mbrëmja kaloi qetë dhe para mesnate kishtë rënë tashmë në gjumë.

II

Stefano Xamanji qe zgjuar herët në mëngjes dhe kishte mundur të hante mëngjesin me qetësi para se të nisej për punë, por nuk e merrte fare me mend se ajo ditë do të qe aq stresante për të.

Bëri një dush në fillim, pastaj përgatiti një filxhan kafe, që e shoqëroi me një fetë buke të thekur, pastaj doli.

Mbërriti në Komisariatin e Policisë në orën 8:30, pas afro gjysëm ore rrugë në mes të trafikut të rrugës Emilia në segmentin që lidh San Laxaron e Savenës ku banonte, me Bolonjën.

I kishtë zët bllokimet e trafikut, sidomos nëse shkaktoheshin nga turmat e njerëzve që nxitonin për të arritur sa më parë në punë.

Përse vallë nuk dalin pak më përpara?, pyeste veten herë pas here, por pa gjetur kurrë një përgjigje të saktë.

Me të mbërritur në zyrë, mbi tryezë e prisnin shumë mesazhe në letër, disa prej të cilave i kishte vënë si kujtesë një mbrëmje më parë.

I lexoi shpejt, pastaj i hodhi në koshin e mbeturinave.

“Si ia çoni, inspektor?”, e pyeti një agjent që po kalonte andej si rastësisht.

“Mirë, faleminderit”, iu përgjigj me përzemërsi. “Po ju? Gjithçka mirë?”

“Po, faleminderit.”

“Shkëlqyeshëm. Atëherë ju uroj një ditë të mbarë, dhe shpresojmë që të jeni i qetë deri në mbrëmje.”

“Të shpresojmë”, tundi kokën agjenti, duke u përshëndetur.

Pak minuta më vonë, kapiteni i Seksionit të Krimeve u paraqit në zyrën e Xamanjit, dhe nga pamja që kishte marrë në fytyrë nuk dukej se po vinte për ta përshëndetur.

“Përshëndetje Xamanji, kam nevojë për ju”, foli duke hyrë direkt në temë.

“Duhet të përgatitem për më të keqen?”, e pyeti inspektori.

“Uroj vetëm mos të jetë ndonjë gjë e komplikuar, por me siguri do jetë diçka e pakëndshme. Morëm një telefonatë nga një person që thotë se kishte mbërritur në shtëpinë e vajzës dhe e kishte gjetur atë pa jetë.”

“Do kisha preferuar ta filloja ditën ndryshe”, u shpreh Xamanji, “A dihet ndonjë informacion më shumë? Dua të them, referuar nga ky personi që ka telefonuar.”

“Zonja tha se kishte mbërritur në shtëpinë e vajzës së saj dhe se ajo nuk ia kishte hapur derën pavarësisht se zilja kishte rënë disa herë, kështu që zonja, që me sa duket kishte çelësat e apartamentit, u kthye në shtëpinë e vet, mori çelësat dhe, kur hapi derën, e gjeti atë të shtrirë në dysheme në dhomën e ndenjes.”

“Kuptova.”, tha Xamanji dhe, pas një pauze të shkurtër, shtoi: “E pse duhet të jetë vrasje? Nuk mund të ketë vdekur nga shkaqe natyrale? Një aksident?”.

“Nuk e di”, iu përgjigj kapiteni, “Besoj se gjëja më e mirë është të shkojmë në vendngjarje dhe të mundohemi të kuptojmë diçka më shumë për atë që ka ndodhur... Zonja që telefonoi, po pret që të shkojmë atje dhe unë i thashë që të rrinte në dispozicion për çdo gjë.”

“Dakort.”, tundi kokën Xamanji, “Tani po shkoj që të kontrolloj.”

Vajza gjendej akoma e shtrirë mbi dysheme, pikërisht në po atë pozicion ku e kishte gjetur e ëma.

“Nuk kam prekur asgjë, mund t’ju siguroj për këtë”, tha zonja sikur të shfajësohej menjëherë për diçka që nuk e kishte bërë, pasi i pa ata t’i tregonin distinktivin e policisë.

“Keni qenë në rregull”, iu përgjigj Xamanji. “A mund ta di si e keni emrin?”

“Kiara. Kiara Balxani.”, u prezantua ajo. ”Dhe ajo është vajza ime”, shtoi më tej, duke u kthyer nga trupi i vajzës, sikur të qe akoma gjallë.

“E kuptoj. A mund të na thoni edhe emrin e vajzës suaj, ju lutem?”

“Oh.. sigurisht, më duhet t’ju kërkoj ndjesë. Jam akoma e tronditur për atë çfarë ka ndodhur. Quhet... quhej... Luçia Mistroni.”

“Ju faleminderit.”, foli Xamanji, dhe pastaj shtoi: “A mund ta di se cila është arsyeja që nuk hezituat të njoftoni policinë? Dua të them, e ndjera mund të ketë pasur ndonjë infarkt apo mund të ketë vdekur nga ndonjë lloj tjetër shkaku natyral, apo jo?”. Dhe, duke u kthyer nga agjenti Marko Finoki që kishte afër, tha: “Të marrim shënim çdo gjë.”

Agjenti tundi kokën.

“Pyetja juaj është e drejtë, por siç duket vajza ime kishte ca kohë që merrte telefonata kërcënuese. Prandaj mendja më shkoi menjëherë te një vdekje jo natyrale, dhe kështu që ju telefonova.”

“Telefonata kërcënuese? Po dihet se kush i telefononte?”

“Jo, edhe pse kam patur gjithmonë dyshimin ose edhe bindjen, nëse mund ta quani kështu, dhe kjo ishte edhe ndjesia e vajzës sime, se ai që e telefononte qe një ish i fejuar i saj.”, sqaroi gruaja. “Marrëdhënia e tyre kishte përfunduar në mënyrën më të shëmtuar, ishin grindur vërtet shumë keq. Në periudhën e fundit të fejesës ata grindeshin shpesh.”

Другие книги автора:

Популярные книги